LAJMËRIM

Drejtuar anëtarëve të Partisë politime Lista e Barabartë (LIBRA)
Për thirrjen e mbledhjes se Forumit nga anëtarësia.

Të nderuar anëtarë.

Subjekti politik në të cilin kemi zgjedhur të anëtarësohemi dhe të mbështesim duke nisur që nga zgjedhjet e kaluara politike po kalon një periudhë vështirësish në organizmin e brendshëm dhe ne legjitimitetin e organeve drejtuese. Në janar të këtij viti u organizua një mbledhje e Forumit (organi më i lartë kolegjial i partisë i cili përbëhet nga e gjithë anëtarêsia e saj) vendimet e të cilit nuk arritën të marrin legjitimitetin juridik nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, arsye për të cilën aktualisht LIBRA gjendet në kushtet e mungesës totale tê organeve drejtuese.

Me qëllim korrigjimin e situatës së krijuar, me objektiv vendosjen e Partisë në shinat e ligjshmërisë dhe rikthimin e saj në jetën politime shqiptare, të cilës vlerësojmë se I ka munguar së tepërmi, një grup nismêtar ka filluar në maj të vitit 2018 proçedurat statutore për thirrjen e mbledhjes së Forumit me kërkesë dhe me propozim të 10% të numrit të përgjithshëm tê anëtarësisë.

Në dokumentin për mbledhjen e firmave me objekt thirrjesn e mbledhjes së Forumit ishte përcaktuar si datê për organizimin e mbledhjes data 07 korrik 2018. Duke u bazuar në faktin që proçesi i mbledhjes së firmave dhe arritjes së kuorumit të nevojshëm statutor për thirrjen e mbledhjes ka përfunduar me datë 12 qershor, në zbatim të të nenit 8 pika 4 të Statutit të Subjektit Politik Lista e Barabartë” (LIBRA) Ne anëtarët e këtij subjekti njoftojmë realizimin e mbledhjes së Forumit sipas të dhènave të mëposhtme:

Data e mbledhjes - 20 korrik 2018 ora 17.30  Hotel Tirana Internacional, këtë rend dite:

1)      Emërimi i Grupit të punës për organizimin e punimeve të mbledhjes së Forumit.
2)      Miratimi i ndryshimeve në Statutin e subjektit politik Lista e Barabartë” (LIBRA).
3)      Zgjedhjen e Kryetarit të subjektit politik Lista e Barabartë” (LIBRA).
4)      Zgjedhjen e anëtarëve të Bërthamës të subjektit politik Lista e Barabartë” (LIBRA).
5)      Zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Garancive Statutore të subjektit politik Lista e Barabartë” (LIBRA).
6)      Zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Etikës të subjektit politik Lista e Barabartë” (LIBRA).

GRUPI NISMËTAR


Projekt-Statuti i Partisë Politike
Lista e Barabartë

“LIBRA”


Kreu 1
Të Përgjithshme


Neni 1
Parime të Përgjithshme
1.      LIBRA është një organizatë politike në formën e partisë, e ndërtuar si bashkim shtetasish shqiptarë me bindje, ide dhe pikëpamje të përbashkëta, e strukturuar në bazë vullnetare, me synimin për të ushtruar ndikimin e vet në të mirën e zhvillimit të vendit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në organet e zgjedhura të pushtetit.
2.      LIBRA mbështetet në parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Neni 2
Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë
1.      LIBRA ka për qëllim ushtrimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet: ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike, evidentimit dhe aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme e vendore me kandidaturat e saj.
2.      LIBRA ka për qëllim të kontribuojë në ndërtimin dhe forcimin e shtetit të të drejtës, demokracisë dhe në mbrojtjen e parimeve themelore të të drejtave dhe lirive të njeriut.
3.      LIBRA ka për qëllim realizimin e programit të saj politik me mjete kushtetuese, ligjore, demokratike dhe në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Neni 3
Programi
1.      LIBRA ka programin e saj politik, i cili është një akt që përfaqëson qëndrimet për zhvillimin e çdo sektori të jetës në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese.
2.      LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, racës, gjinisë, moshës, bindjes fetare apo statusit politik e social.
3.      Libra mbështet dhe zbaton parimet e barazisë gjinore.
4.      LIBRA do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj.
Neni 4
Emri, Selia, Statusi, Vula, Simbolet
1.      Emri i Partisë është “LISTA E BARABARTE”, me akronim (brevetatis causa) LIBRA. Për efekte të përfaqësimit mund të përdoren si emri i plotë ashtu edhe akronimi.
2.      Selia qendrore është në Tiranë. LIBRA ka të drejtë të ketë shtrirje të saj në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë.
3.      Libra ka statusin e personit juridik. Ajo ka vulën e vet. Vula e LIBRA-s është një katror i zi mbi fushë të bardhë, mbi të cilin shkruhet Lista e Barabartë, ndërsa nga jashtë drejt brenda tij, me gërma kapitale të zeza shkruhet LIBRA.
4.      Libra ka si stemë një katror të verdhë mbi fushë të bardhë, mbi të cilin shkruhet Lista e Barabartë, ndërsa nga jashtë drejt brenda tij, me gërma kapitale të zeza shkruhet LIBRA.

Neni 5
Anëtarësia
1.      Anëtar i LIBRA-s mund të jetë çdo shtetas shqiptar i cili ka mbushur moshën 15 vjec, që pranon programin politik të partisë, statutin e saj si dhe çdo dokument tjetër të brendshëm që rregullon mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të partisë.
2.      Nuk mund të jetë anëtar i LIBRA-s, dhe në qoftë se është pushon së qëni në mënyrë të menjëhershme, një person që është anëtar i një partie tjetër politike. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm ata persona që zgjedhin të anëtarësohen në LIBRA pasi kanë hequr dorë nga anëtarësia në një parti tjetër politike.
3.      Bërthama parashikon me anë të një dokumenti të shkruar rregullat e posacme për fitimin, detyrimet, dhe humbjen e anëtarësisë.
4.      Pamvarsisht nga parashikimi i pikës 3 të këtij neni anëtari e humb të drejtën e të qënit anëtar në rast të mos pagimit të kuotave të anëtarësimit për më shumë se gjashtë muaj rradhazi.
5.      Partia është e detyruar të mbajë një regjistër elektronik të anëtarësisë në të cilin të jenë të regjistruara të gjitha të dhënat personale të anëtarit. Të paktën një herë në vit, jo më vonë se 30 ditë nga data e mbledhjes së Forumit, Bërthama është e detyruar t’i kërkojë çdo anëtari përditësimin e të dhënave personale në regjistrin e anëtarësisë si dhë të drejtën e përdorimit të këtyre të dhënave.


Neni 5/1
Të drejtat dhe detyrat e anëtarit
1.      Përvec sa parashikuar në nenit 5, pika 3 anëtari i LIBRA-s ka këto të drejta dhe detyra:
1.1.   Të zbatojë, propagandojë dhe mbrojë programin, politikën, vendimet dhe qëndrimet e Partisë si dhe të respektojë Statutin dhe programin.
1.2.   Të përmbushë detyrat që i caktohen në përputhje me Statutin dhe programin.
1.3.   Të respektojë normat e bashkëjetesës demokratike në Parti.
1.4.   Të zhvillojë frymën e transparencës, tolerancës, debatit konstruktiv dhe mirëkuptimit reciprok në Parti.
1.5.   Të organizohet, angazhohet dhe kontribuojë maksimalisht në fushatat elektorale për arritjen e suksesit të Partisë.
1.6.   Të marrë pjesë në përpunimin e politikës, të qëndrimeve e vendimeve të Partisë në të gjitha nivelet, nëpërmjet diskutimit e debatit demokratik në organet e Partisë në të cilat bën pjesë ose ku varet, në shtyp dhe në forma të tjera demokratike; të shprehë lirisht mendimet e tij për të gjitha çështjet e Partisë si dhe mbi veprimtarinë e organëve dhe anëtarëve të saj.
1.7.   Të zgjedhë e të zgjidhet në organet udhëheqëse të Partisë.
1.8.   Të marrë pjesë në mbledhjet partiake të çdo niveli qofshin, ku shqyrtohen probleme që kanë të bëjnë me personin e tij. Për këtë njoftohet deri dy herë.
2.      Përvec sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, cdo anëtar i partisë ka të drejtë të propozojë dhë të propozohet për cdo pozicion drejtues brenda partisë. Nuk lejohet asnjë kufizim i kësaj të drejte në asnjë formë. Në cdo rast kandidatura e propozuar duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara paraprakisht.
3.      Anëtari nuk mund të veprojë dhe të deklarohet në emër të Partisë, pa qenë i autorizuar, ose pa e gëzuar këtë të drejtë nga organet drejtuese.
4.      Anëtari ka të drejtën e largimit të lirë nga Partia me kërkesën e tij, duke njoftuar strukturën e Partisë në të cilin bën pjesë ose ndonjë instancë më të lartë të Partisë. Largimi nga Partia ose dorëheqja nga funksioni bëhet duke dorëzuar një njoftim me shkrim apo me cdo formë të komunikimit elektronik privat apo publik. .


Neni 6
Natyra, lloji dhe mjetet e veprimtarisë politike
1.      Veprimtaria politike e LIBRA-s është e hapur, demokratike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. LIBRA ushtron veprimtari politike me synimin që vetëm në mënyrë demokratike të përfaqësohet në organet e zgjedhura, duke zbatuar programin e saj.
2.      LIBRA, në ushtrimin e veprimtarisë së saj përdor mjete demokratike dhe ligjore. LIBRA ushtron veprimtarinë e saj nëpërmjet edukimit politik, nxitjes së pjesëmarrjes në ushtrimin e të drejtave politike në zgjedhje, si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje.
3.      LIBRA realizon programin dhe qëllimet e veta me këto mjete:
o    nëpërmjet veprimtarisë publike në popull dhe media;
o    nëpërmjet fushatave elektorale dhe pjesëmarrjes në zgjedhje në shkallë kombëtare dhe vendore;
o    nëpërmjet ushtrimit të pushtetit qendror dhe lokal, ose veprimtarisë si opozitë;
o    nëpërmjet përfaqësimit të saj në organizatat e nivelit ndërkombetar, ku ajo merr pjesë.

Neni 6/1
Transparenca
1.      Parim i patjetërsueshëm i LIBRA gjatë ushtrimit të të gjithë veprimtarisë, vendim-marrjes dhe organizimit të saj është parimi i transparencës ndaj të gjithë anëtarëve.
2.      Ky parim respekthet
2.1.   duke informuar të gjithë anëtarët për cdo vendim të strutkruave drejtuese të partisë të cdo niveli.
2.2.   duke u konsultuar me anëtarësinë për cdo vendimmarrje të rëndësishme politike.
2.3.   duke publikuar të gjithë veprimtarinë e partisë, Kryetarit dhe Bërthamës për të gjithë anëtarësinë e partisë.


Neni 6/2
Burimet Financiare
1.      Burime financiare përbëhen nga kuotat e anëtarësisë; çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; fondet publike duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime, nga individë, persona juridikë apo fizikë, organizata e fondacione politike, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe sipas procedurave ligjore përkatëse.
2.      Menaxhimi i burimeve financiare do të kryhet në përputhje me standardet ligjore të kontabilitetit dhe sipas parashikimeve statutore, të Rregulloreve apo legjislacionit përkatës në fuqi.
3.      Veprimtaria financiare ushtrohet sipas legjislacionit përkatës dhe atij financiar në fuqi. .


Kreu 2
Organizmi i Partisë


Neni 7
Organet drejtuese
1.      Organet drejtuese të Partisë LIBRA janë:
1.1.   Forumi
1.2.   Bërthama
1.3.   Kryetari i Partisë
1.4.   Komisioni i Garancive
1.5.   Komisioni i Etikës


Neni 7/1
Mbledhja e Kuvendit
1.      Forumi është organi më i lartë i Partisë "Lista e Barabartë". Forumi përbëhet nga të gjithë anëtarët e LIBRA-s me të drejtë vote të paktën 1 muaj përpara ditës së mbledhjes së tij.
2.      Forumi mblidhet të paktën 1 herë në dy vjet. Mbledhja e Forumit organizohet në gjashtëmujorin e parë të vitit. Bërthama me shumicë të thjeshtë të votave përcakton datën e mbledhjes së Forumit si dhe rendin e ditës. Vendimi i Bërthamës i bëhet i njohur të gjithë anëtarëve të Partisë të pakën 25 (njëzet e pesë) ditë përpara datës së mbledhjes së tij.
3.      Jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) përqind e anëtarëve të Forumit, dhe jo më pak se 25 (njëzet e pesë) përqind e anëtarëve të Bërthamës mund të kërkojnë të shtohen pika të ndryshme nga ato të përcaktuara nga vendimi i Bërthamës në rendin e ditës së mbledhjes së Forumit. Këto kërkesë janë të detyrueshme për zbatim dhe duhet të përfshihen në rendin e ditës me kusht që të depozitohen së bashku me firmat përkatëse jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga data e mbledhjes së Kuvendit. Në këtë rast Bërthama njofton anëtarësinë për pikat e rendit të ditës që janë shtuar.
4.      Në rast se data e mbledhjes së Forumit nuk është njoftuar deri me datë 30 prill, atëherë Forumi konsiderohet se është thirrur për tu mbledhur të shtunën e tretë të muajit korrik. Në këtë rast Forumi drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë, i cili merr atributet e Kryetarit të partisë deri në përfundim të Forumit.
5.      Në rast të mbledhjes së Forumit sipas parashikimeve të pikës 3 të këtij neni, pjesë e rendit të ditë është domosdoshmërisht zgjedhja e një Bërthamës të jashtëzakonshme e cila do të drejtojë Partinë deri në mbledhjen e ardhshme të Forumit dhe do të jetë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve brenda Partisë.   
6.      Mbledhja e Forumit është e vlefshme nëse në të marrin pjesë jo më pak se 50 (pesëdhjetë) përqind e anëtarëve me të drejtë vote. Në rast se në mbledhjen e parë nuk arrihet kuorumi i përcaktuar në fjalinë e parë të kësaj pike atëherë Forumi mblidhet në një mbledhje të dytë, me të njëjtin rend dite brenda 5 ditësh nga mbledhja e parë. Vendimet e marra në mbledhjen e dytë të Forumit nuk i nënshtrohet kufizimeve të kuorumit detyrues për vlefshmërinë e tyre.


Neni 8
Të drejtat e Forumit
1.      Forumi ka këto të drejta
1.1.   Zgjedh dhe shkarkon Kryetarin.
1.2.   Zgjedh dhe shkarkon Bërthamën.
1.3.   Zgjedh dhe shkarkon Komisionin e Garancive.
1.4.   Zgjedh dhe shkarkon Komisionin e Etikës.
1.5.   Miraton programin e partisë, platformën politike dhe veprimtarinë zgjedhore.
1.6.   Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij.
1.7.   Merr cdo vendim tjetër i cili nuk është parashikuar shprehimisht në këtë statur por që nuk bie ndesh me përcaktimet e kërij të fundit dhe legjislacionin shqiptar.
2.      Vendimet e Forumit janë të vlefshme kur për to ka votuar 50 (pesëdhjet) përqind plus 1 e anëtarëve me të drejtë vote të tij.
3.      Të drejtën e propozimeve për kandidaturat e parashikuara në pikave 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 ka një numër prej jo më pak se 10 (dhjetë) anëtarësh me të drejtë vote të Kuvendit. Të gjitha votimet për zgjedhjen apo shkarkimin sipas pikave 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 bëhen me votim të fshehtë.

Neni 9
Koordinatori
Shfuqizohet


Neni 10
Këshilli
Shfuqizohet


Neni 11
Bërthama
1.      Bërthama është organi më i lartë ekzekutiv i Partisë "Lista e Barabartë".
2.      Ajo zgjidhet nga Forumi për një mandat 4 vjecar.
3.      Bërthama është e përbërë nga 30 (tridhjetë) anëtarë.të cilët zgjidhen nga Forumi dhe Kryetari i cili është njëkohësisht edhe drejtues i mbledhjeve të saj.  
4.      Mbledhjet e Bërthamës zhvillohen të paktën një herë në muaj, Ato thirren nga Kryetari i Partisë ose nga 5 (anëtarë) të saj.
5.      Bërthama zgjedh nga gjiri i saj ose nga anëtarësia e Partisë, një Sekretar të Përgjithshëm, një Administrator dhe një Zëvendës Kryetar të Partisë. Vendimi për zgjedhjen e personave të parashikuar në këtë pikë është i vlefshëm nëse është votuar nga jo më pak se 3/4 e anëtarëve të Bërthamës.
6.      Të gjitha vendimet e Bërthamës, përvec atyre të parashikuara në pikën 5 të këtij neni, merren me shumicë të thjeshtë.
7.      Në rast të zgjedhjes së Bërthamës sipas parashikimeve të nenit 7 pika 5 të këtij statuti, Bërthama zgjedh kryetarin e partisë. Vendimi për zgjedhjen e kryetarit të partisë merrem me unanimitet.  Në rast se nuk arrihet unanimiteti atëherë funksionet e kryetarit mbulohen me rotacion nga të gjithë anëtarët e Bërthamës për një periudhë 30 ditore, duke pasur moshën si kriter për rradhën e ushtrimit të fuksioneve.


Neni 11/1
Të drejtat e Bërthamës
1.      Ajo është përgjegjëse për organzimin dhe funksionimin e partisë në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Forumit.  
2.      Ajo është përgjegjëse për zbatimin e programit politik, Statutit si dhe të direktivave e rekomandimeve të Forumit.
3.      Bërthama administron mjetet e përgjithshme financiare dhe materiale të partisë nëpërmjet Kryetarit dhe Administratorit.
4.      Bërthama është përgjegjëse për organizimin e Forumit si dhe vendos proçedurat e zhvillimit të tij.
5.      Bërthama vendos kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për pozicionet e brendshme në parti dhe kandidatët për përfaqsim politik dhe administrativ.
6.      Bërthama miraton aparatin administrativ të partisë, kriteret për emërimin, funksionet dhe pagat përkatëse.
7.      Bërthama harton miraton dhe ndryshon organizimin territorial të partisë, mënyrën e zgjedhjes së strukturave territoriale, koëzgjatjen e mandatit të tyre, si dhe detyrat dhe të drejtat.
8.      Bërthama ushtron kontroll mbi veprimtarinë e organeve territoriale të partisë si dhe merr cdo vendim të përshtatshëm për përmirësimin e punës së strukturave me bazë territori.
9.      Bërthama ka të drejtën e krijimit të strukturave provizore me qëllim përmbushjen e një qëllimi të caktuar, gjithnjë bazuar në mostejkalimin e kompetencave të organeve të parashikuara nga ky statut.


Neni 12
Komisioni i Etikës
1.      Komisioni i Etikës përbëhet nga 5 anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Forumi.
2.      Komisioni i Etikës është organi përgjegjës për:
2.1.   Verifikimin e zbatimit të standarteve etike në cdo nivel;
2.2.   Menaxhimin dhe vlerësimin e konfliktit të interesit.
2.3.   Respektimin e statutit dhe akteve të tjera të brendshme në rastin e marrjes së vendimeve, nga cdo strukturë e Partisë.
3.      Komisioni shqyrton dhe vendos për të gjitha ankesat e anëtarëve në lidhje me objektin e punës së tij.
4.      Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.
5.      Anëtarësia në Komisionin e Etikës është e papajtueshme me çdo funksion tjetër.
6.      Në rastet e krijimit të vakancës, Bërthama ka të drejtë të bëjë zëvendësimin e anëtarit të larguar të Komisionit me kandidatin jo fitues, me numrin me të madh të votave në votimet e fundit për Komisionin e Etikës. E drejta e Bërthamës e parashikuar në fjalinë e parë të kësaj pike nuk mund të ushtrohet për më shumë se dy herë. Në rastin e mosfunksionimit të Komisionit të Etikës për cështje vakance, Bërthama thërret mbledhjen e Forumit jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga dita e konstatimit të vakancës.


Neni 13
Komisioni i Garancive
1.      Komisioni i Garancive përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të LIBRA-s, që zgjidhen nga Forumi.
2.      Komisioni i Garancive është organi përgjegjës për:
2.1.   Respektimin e procedurave dhe procesve të votimit;
2.2.   Besueshmërinë e platformave elektronike të votimit dhe diskutimit.
2.3.   Respektimin e statutit dhe akteve të tjera të brendshme të LIBRA-s  rastin e marrjes së vendimeve, nga cdo strukturë e Partisë.
3.      Komisioni shqyrton dhe vendos për të gjitha ankesat e anëtarëve në lidhje me objektin e punës së tij.
4.      Anëtarët qëndrojnë në detyrë për dy vjet.
5.      Anëtarësia në Komisionin e Garancive është e papajtueshme me çdo funksion tjetër.


Neni 14
Kryetari
1.      Kryetari zgjidhet nga Kuvendi për një mandat 4 vjecar. I njëjti person nuk mund të zgjidhet për më shumë se 3 (tre) mandate rradhazi.
2.      Kryetari ka këto të drejta:
2.1.   Është përfaqsuesi ligjor i partisë ndaj palëve të treta.
2.2.   Therret dhe drejton mbledhjet e Bërthamës dhe Forumit.
2.3.   Organizon të gjithë funksionimin e përditshëm të partisë.
3.      Në bashkëpunim me Administratorin administron mjetet financiare dhe materiale të Partisë.
4.      Kryetari ndihmohet në administrimin e përditshëm të partisë nga Zëvendës Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm.
5.      Në rastet e vakancës së Kryetarit funksionet e dhe detyrat e tij ushtrohen nga Nënkryetari. Në cdo rast vakanca nuk mund të zgjasë më shumë se 6 (gjashtë) muaj. Në përfundim të këtij afati, Bërthama thërret mbledhjen e Forumit jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga përfundimi i afatit gjashtë mujor të vakancës duke përcaktuar si pikë të rendit të ditës zgjedhjen e një Kryetari të ri. 


Neni 14/1
Zëvendës Kryetari
1.      Zëvendës Kryetari emërohet dhe shkarkohet nga Bërthama, me shumicë të thjeshtë, me propozim të Kryetarit ose të 20 (njëzet) përqind të anëtarëve të  Bërthamës për një mandat 2 vjecar.
2.      Ai ka për detyrë të asistojë dhe ndihmojë Kryetarin në administrimin e përditshëm të partisë. Me delegim të Kryetarit mund të përfaqsojë partinë ndaj palëve të treta dhe të kryejë të gjithë funksionet e kryetarit.
3.      Në rastet e vakancës së parashikuar në pikën 5 të nenit 14 Nënkryetari thërret mbledhjen e Forumit sipas afateve të parashikuara në këtë pikë. Në rast të mosrespektimit të afateve të kësaj pike nga Nënkryetari dhe Bërthama, Forumi konsiderohet i thirrur të shtunën e fundit përpara përfundimit të afatit 90 (nëntëdhjetë) ditor të parashikuar në pikën 5 të nenit 14.

Neni 15
Sekretari i Përgjithshëm
1.      Sekretari i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet, nga Bërthama me shumicë të thjeshtë, me propozim të Kryetarit ose të 20 (njëzet) përqind të anëtarëve të  Bërthamës për një mandat 5 vjecar.
2.      Sekretari i Përgjithshëm nuk lejohet të kryejë asnjë funksion politik të cfarëdolloj niveli apo të mbajë funksione administrative në administratën publike të cfarëdolloj niveli. Sekretari i Përgjithëm pas përfundimit të mandatit nuk mund të kandidojë për pozicionin e Kryetarit të Partisë apo të anëtarit të Bërthamës për një periudhë 3 vjecare.
3.      Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për administratimin e të gjithë bazës dokumentare të partisë, në të cilën përfshihen detyrimisht, protokollet dhe procesverbalet e mbledhjeve të Bërthamës dhe Forumit, vendimet e Bërthamës dhe Forumit, si dhe Regjistri i Anetarësisë.


Neni 16
Administratori
1.      Administratori emërohet dhe shkarkohet nga Bërthama me shumicë të thjeshtë, me propozim të Kryetarit ose të 20 (njëzet) përqind të anëtarëve të  Bërthamës për një mandat 5 vjecar.
2.      Administratori në bashkëpunim me Kryetarin është përgjegjës për administratimin e mjeteve monetare dhe materiale të Partisë. Ai harton bilancin vjetor dhe buxhetin e parashikuar për vitin pasardhës të cilët i paraqiten për miratim Bërthamës. 


Kreu 3
Dispozita të fundit dhe Kalimtare


Neni 17
Ndryshimi i Statutit dhe Rregulloret e Brendshme.
1.      Ky statut mund të ndryshohet nga Forumi, me kërkesën e të paktën 30 përqind të anëtarëve të Bërthamës ose 10 perqind të anëtarëve të Kuvendit. Për miratimin e ndryshimeve është e nevojsme që të votojnë jo më pak se 2/3 e anëtarëve me të drejtë votet të Forumit, në përmbushje të kushteve të parashikuara në nenin 7/1 pika 6.  
2.      Në rast se kuorumi i kërkuar në pikën 1 nuk arrihet atëherë propozimi konsiderohet i refuzuar. I njëjti propozim nuk mund të paraqitet në dy mbledhje të njëpasnjëshme të Forumit.
3.      Rregulloret e brendshme të partisë si dhe cdo akt tjetër që nuk është parashikuar shprehimisht si kompetencë e një organi tjetër pregatiten nga Bërthama.


Neni 18
Dispozita kalimtare
1.      Ky statut hyn në fuqi me miratimin e tij nga Forumi.
2.      Zbatimi i tij është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e Partisë duke filluar nga miratimi i tij.





Comments

Post a Comment